Tacet · Përdorim i përgjegjshëm
Privatësia është e drejtë. Nuk është strehë.
Tacet është ndërtuar për të mbrojtur besimin mes njerëzve: klientin dhe avokaten, pacienten dhe mjeken, familjen që jeton në dy vende. Kjo mbrojtje vlen vetëm nëse përdoret me përgjegjësi. Ja çfarë presim nga ti, dhe çfarë mund të presësh nga ne.
Në rrezik real, telefono 112. Tacet nuk është shërbim urgjence.
- 01
Për të rriturit
Tacet është për moshën 18 vjeç e lart. S’është për të miturit. Nëse mendon se një fëmijë nën 18 vjeç po e përdor Tacet-in, na shkruaj dhe ne do ta fshijmë llogarinë.
- 02
S’është për krim
Mashtrimi, shantazhi, ngacmimi, kërcënimi, ndjekja e dikujt, shpërndarja e imazheve intime pa pëlqim, materialet e abuzimit seksual me fëmijë, trafikimi, shitja e gjërave të paligjshme dhe mashtrimet me para s’kanë vend në Tacet.
- 03
S’të bën anonim
Llogaritë e reja s’kanë email as numër telefoni, por serveri e di kush flet me kë dhe kur. Hyrja në llogari regjistron IP-në dhe pajisjen për disa javë; releja e thirrjeve i sheh IP-të dhe i mban regjistrat deri 24 orë. Përmbajtjen e mesazheve, medias, thirrjeve dhe vendndodhjes s’e lexojmë dot, prandaj s’mund ta japim. Nëse të duhet anonimat i plotë, Tacet s’është mjeti i duhur.
- 04
S’është mjet për t’i shpëtuar ligjit
PIN-i i panikut, mesazhet që zhduken dhe fshirja nga distanca janë për sigurinë tënde personale: telefoni i vjedhur, dikush që të detyron ta hapësh. Nuk janë për të zhdukur prova që ligji të detyron t’i ruash.
- 05
Vendndodhja vetëm me pëlqim
Ndarja live nis nga telefoni i atij që ndan, me afat 15 minuta, 1 orë ose 24 orë, dhe vetëm me ata që zgjedh ai. Mos e përdor për të kontrolluar askënd. Nëse dikush të detyron ta ndash, te “Kush më sheh” e ndal për një person ose për të gjithë.
- 06
Respekto tjetrin
Te Letër në dorë, marrësi e di që në fillim që emri i tij del në çdo faqe, dhe, nëse e ndez Vulën e leximit, që ti sheh sa qëndroi. Trego vetëm atë që ke të drejtë ta tregosh.
- 07
Mesazhet që zhduken s’janë arkivë
Tacet s’të çliron nga detyrimet e profesionit: sekreti profesional, mbrojtja e të dhënave, rregullat e dhomës apo urdhrit tënd. Kur ligji të kërkon t’i ruash shënimet, ruaji aty ku duhet. Ti vendos çfarë është e përshtatshme të dërgohet, dhe kujt.
- 08
Blloko dhe raporto, pa asnjë mesazh
Bllokimi ndal menjëherë mesazhet, thirrjet, reagimet dhe vendndodhjen e atij personi. Raporti mban arsyen, kush raportoi kë, në cilën bisedë, nëse e bllokove dhe kur, kurrë një mesazh: asnjë mesazh s’del nga telefoni yt, as kur do ti. Vendosim mbi bazën e raporteve dhe të sjelljes, jo të përmbajtjes, sepse përmbajtjen s’e shohim kurrë. Raporti fshihet pas 180 ditësh.
- 09
Kërcënimet dhe krimet: te policia, para bllokimit
Për kërcënime ose krime, tregoja policisë bisedën në telefonin tënd, para se ta bllokosh. Mesazhet lexohen vetëm aty: te ne mbeten vetëm të fshehtëzuara, edhe ato që zhduken (deri në skadim, plus deri 7 ditë në kopjet rezervë), dhe s’i deshifrojmë dot, ndaj s’i japim dot. Në rrezik real, telefono 112.
- 10
Masat dhe apelimi
Për llogaritë që e përdorin Tacet-in për t’i bërë dëm të tjerëve, masat janë paralajmërim, pezullim i përkohshëm ose mbyllje e llogarisë. I raportuari s’mëson kurrë kush e raportoi. Pezullimin dhe mbylljen i vendos një njeri, me dorë. Apelimi bëhet me email te info@tacet.chat brenda 30 ditëve, dhe përgjigjet një njeri brenda 14 ditëve. Kushtet e përdorimit do ta shkruajnë kur të publikohen.
- 11
Kufizimi automatik
Kur e ndezim, prek vetëm kërkesat e reja dhe kërkimin me @username, për 24 ose 72 orë, kurrë bisedat. Nis vetëm nga raportues të pavarur nga njëri-tjetri (disa miq që bashkohen kundër dikujt s’mjaftojnë) ose nga shumë kërkesa të refuzuara.
- 12
Kur kërkon ligji
Autoriteteve publike u japim të dhëna vetëm kur ligji na detyron, dhe vetëm ato që mund t’i lexojmë (seksioni 12 i politikës së privatësisë). Përmbajtjen e mesazheve, fotove, thirrjeve dhe vendndodhjeve s’e kemi në formë të lexueshme.
- 13
Kufijtë e ndershëm
Asnjë app s’të bën të padukshëm. Çdo ekran mund të fotografohet me një pajisje tjetër, dhe ajo që lexon tjetri mund ta tregojë me mënyra të tjera. Vula është rregull që e zbaton app-i, jo kasafortë matematikore. Mbrojtja nga mashtrimet mund t’i shpëtojë diçka. Tacet s’është audituar ende nga të pavarur. SOS-i s’është shërbim urgjence.
Për të raportuar abuzim: brenda app-it, te biseda › Blloko dhe raporto, ose te info@tacet.chat.
Kushtet e përdorimit: së shpejti. Këto parime do të jenë pjesë e tyre.
Shkarko Tacet.
Android 8.0 e lart, nga Google Play. Sot app-i është në test të mbyllur: shkarkimi hapet pasi të shtojmë si testues. iPhone vjen, por s’japim datë; sot, nga iPhone hyn në një bisedë me një ftesë të Mysafirit ose lexon një Letër në dorë, nga Safari.
iPhone · së shpejti
Sot vetëm për Android, për testuesit e pranuar · Bëhu testues